Challandes: Me ose pa Ibrahimovic, Kosova e ka të vështirë me Suedinë!

Kosova përballet nesër kundër Suedisë, në transfertë prej orës 18:00. Dardanët kanë mbërritur në vendin nordik dhe trajneri Bernard Challandes ka dalë edhe në konferencë ditën e sotme, duke folur për skuadrën e tij, forcën e kundërshtarit, presionin dhe mungesën e Ibrahimovic.

NDESHJA – “Do të luajmë kundër një ekipi të fortë. Kemi luajtur në shtator ndeshje të mira dhe duam ta konfirmojmë formën që e kemi pasur në shtator. Është e qartë që Suedia është kundërshtar shumë i fortë dhe këtë e ka treguar në të gjitha ndeshjet që ka luajtur, përfshirë edhe Kampionatin Evropian. Presim një ekip shumë të fortë në aspektin fizik, por edhe në aspektin individual. Suedia ka lojtarë që mund ta bëjnë diferencën në ndeshje”.

PRESIONI – “Edhe për këtë ndeshje ka presion sikurse në çdo ndeshje tjetër. Do të luajmë kundër një ekipi, që në të njëjtin stadium e ka mposhtur Spanjën dhe presioni është normal jo vetëm në ekipin tonë, por në çdo skuadër tjetër. Suedia ka përvojë dhe ka luajtur në shumë turne të mëdhenj. Po ashtu, lojtarët e Suedisë kanë luajtur edhe në Ligën e Kampionëve. Kështu që, për ta dueli me Kosovën është një ndeshje normale”.

MUNGESA E IBRAHIMOVIC – “Nuk mund të them nëse Suedia është më e mirë apo më e dobët pa Ibrahimovic, por mund të them se është një ekip tjetër me Ibrën. Në Prishtinë luajtëm kundër Ibrahimovic dhe ai bëri një paraqitje të mirë, duke u treguar lojtar i rëndësishëm. Ne patëm vështirësi ndaj Suedisë me Ibrahimoviç, por edhe pa të në sulm do të jetë sërish vështirë për ne”. / oversport.tv