Champions, Allegri: PSG favoritja kryesore, duhen 10 pikë për të kaluar grupin

Në konferencën për shtyp një ditë para debutimit në Champions League ndaj PSG-së, trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, analizoi me hollësi takimin që do të luhet nesër në ” Parc des Princes”.

Trajneri livornez nuk la pa komentuar edhe operacionin në gju që do të kryej mesfushori Paul Pogba, për të cilin do të duhet një periudhë e konsiderueshme që të kthehet në fushat e blerta.

“Kemi përballë një kundërshtar që është ndër më të fortët në Evropë. PSG-ja është favoriti kryesor për të fituar turneun këtë vit. Në sfidën e nesërme kemi punuar për të nxjerr një lojë të bukur. Besoj se do të luajmë një lojë të shkëlqyer nga pikëpamja teknike dhe në fund të marrim diçka shume pozitive.

Pogba? Sot në mëngjes ai u stërvit për herë të dytë dhe u ndal pas shqetësimeve që kishte. Vendosi t’i nënshtrohet një operacioni dhe periudha e rikthimit do të jetë në janar. Paredes dhe Di Maria janë dy lojtarë të jashtëzakonshëm, do të na japin shumë. Në këto momente nuk doja të rrezikoja Angel Di Maria, pasi na presin shumë ndeshje të rëndësishme përgjatë këtij sezoni.

Nesër fillon Championsi, duhen 10 pikë për të kaluar grupin. Nuk e di nëse do të jenë tre pikë nesër apo ndeshjen e ardhshme, duhen gjithmonë 10 pikë për tu kualifikuar”, ka thënë mes të tjerash Allegri. / Oversport.tv