Champions një thesar për Juventusin, sa vlen kualifikimi përballë Villarreal?

Një ndeshje që vlen (të paktën) 10.6 milionë euro. Kjo është shifra që jep UEFA për skuadrën që arrin të sigurojë një vend mes 8 më të mirave të Champions League.

Ky është një motiv më shumë për Juventusin për të fituar sfidën kundër Villarreal, një takim që vlen shumë si nga ana sportive edhe nga ajo ekonomike.

Bardhezinjtë duhet të harrojnë 2 eliminimet në fazën e 1/8-ve të finales në 2 vitet e fundit dhe duhet të kualifikohen në çerekfinale. Pandemia ka ndikuar në financat e të gjithë klubeve dhe Champions është një “minierë” që pasuron arkat e të gjithëve.

Rrugëtimi i deritanishëm i skuadrës së Allegrit në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube i ka sjellë klubit 76 milionë euro. 15.64 milionë si pjesëmarrës në fazën e grupeve, 30.7 milionë nga renditja historike e UEFA-s dhe 14 milionë nga rezultatet e arritura në grupe (një fitore vlen 2.8 milionë). Kualifikimi në 1/8 e finales ka sjellë edhe 9.6 milionë të tjera. / Oversport.tv