Champions, Simeone: Porto favorite për të kaluar në turin tjetër

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka folur në një konferencë për shtyp në prag të sfidës së nesërme që skuadra e tij do të luajë në Champions League përballë Portos:

“Kemi një ndeshje shumë të vështirë, përballë një kundërshtari që luan shumë mirë dhe që renditet në vendin e parë në kampionatin portugez, ashtu siç është Milani në Itali.

Favoritët për tu kualifikuar? Porto. Ka një grup shumë të mirë, që në vite ka bërë shumë mirë. Është e fortë në mbrojtje, di të presojë dhe luan me intensitet të lartë. Është padyshim skuadra favorite për të kaluar në turin tjetër, duke marrë në konsideratë faktin që ka më shumë pikë se ne dhe Milani”, ka thënë tekniku argjentinas.

“Unë kam besim të plotë tek skuadra ime. Ajo ka treguar se ka karakter dhe personalitet për të dalë nga kjo situatë. E kemi bërë edhe më parë dhe kësaj radhe situata nuk ndryshon shumë. Këto janë ato lloj sfidash që çdo futbollist ka dëshirë që të luajë”, ka thënë Simeone.

Mbrojtësi uruguaian Jose Maria Gimenez do të mungojë në këtë takim, por në dispozicion të teknikut rikthehet Yannick Carrasco. / Oversport.tv