Chelsea i afrohet mrekullisë, Benzema shpëton Realin në kohën shtesë

Mes drithërimash, Reali i Madridit arrin të kualifikohet në gjysmëfinalet e Champions League. Chelsea zhvillon një ndeshje të madhe në “Bernabeu” dhe arrin të përmbysë disfatën e ndeshjes së parë, duke fituar 3-1 në Madrid.

Ndeshja shkon në shtesë dhe një gol i të zakonshmit Benzema, i ka dhuruar një kualifikim të vuajtur skuadrës së Ancelottit. Të pafat londinezët, që dorëzojnë kurorën kontinentale, pas 120 minutave të luftuara denjësisht.

Një ndeshje shumë e bukur dhe plot emocione është zhvilluar mes Realit të Madridit dhe Chelseat në “Bernabeu”. Ndonëse janë mposhtur 3-1 në sfidën e parë, londinezët nuk dorëzohen dhe luajnë shumë mirë në Madridit.

Mount zhbllokon sfidën në pjesën e parë, ndërsa Rudiger shënon edhe golin e dytë për “blutë” në fillimin e fraksionit të dytë, duke baraspeshuar gjithçka në rezultatin e përgjithshëm. Alonso shtang tifozët spanjollë, duke shënuar edhe golin e tretë për miqtë, por goli anulohet për një prekje të topit me dorë.

Chelsea luan shumë mirë, ndërsa Reali është hija e vetvetes në këtë sfidë. Benzema godet traversën, ndërsa janë anglezët ata që gjejnë sërish rrugën e rrjetës me Werner. 0-3 dhe me këtë rezultat është Chelsea skuadra që kualifikohet në gjysmëfinale.

Ancelotti hedh në fushë Rodrygo, që pak minuta më vonë shënon golin e parë për madrilenët. Rezultati i përgjithshëm shkon 4-4 dhe për të mësuar emrin e skuadrës gjysmë-finalistw duhet të luhet koha shtesë.

Benzema shënon për Realin me fillimin e kohës shtesë, duke çuar në 2-3 rezultatin e sfidës. Spanjollët administrojnë rezultatin, ndërsa Chelsea mundohet që të reagojë, por nuk arrin që të shënojë më në portën e Courtois.

Mes drithërimash, Reali i Madridit siguron një vend në gjysmëfinalet e Champions, ndërsa Chelsea dorëzon kurorën, por me kokën lart. Pasi ka bërë një ndeshje të madhe në “Bernabeu”.

Foto: Real Madrid C.F. Twitter

Champions League-Çerekfinale

Real Madrid-Chelsea 2-3 pas kohës shtesë (rezultati i përgjithshëm 5-4)

Rodrygo 80’, Benzema 96’ / Mount 15’, Rudiger 51’, Werner 75’