Chelsea nuk di të ndalet, lumë golash ndaj Norwich

Chelsea ka mposhtur me rezultatin e thellë 7-0 Norwich në javën e nëntë të Premier League. Ekipi i Tunchel, arriti fitoren e shtatë këtë kampionat duke mbajtur edhe kreun e renditjes.

Festivalin e golave e hapi Mason Mount. Një goditje në cepin e portës pranë 16-metërshit e bënë të pamundur reagimin e Tim Krul duke e çuar rezultatin në 1-0. Për të dyfishuar rezultatin mendoi Hudson-Odoi që shfrytëzoi mjaft mirë një pas të Kovacic dhe i vetëm me portierin e çoi rezultatin në 2-0.  Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0 pas golit të Reece James. Mbrojtësi u gjend i vetëm në zonë dhe me një goditje elegante mbi kokën e portierit trefishoi rezultatin.

Pjesa e dytë nisi aty ku përfundoi e para. Ben Chilwell shënoi me një goditje diagonale në cepin e portës së Krul.  Më pas një krosim i devijuar nga Aarons dhe një reagim i vonuar nga Krul e regjistroi rezultatin në 5-0.

Për të vulosur përfundimisht takimin mendoi Mason Mount që shënoi dy gola të vonë për të kompletuar edhe tripletën e tij. Kështu, ai shënoi një gol nga 11-metërshi dhe një tjetër me portën e boshatisur duke e regjistruar rezultatin përfundimtar në 7-0. /oversport.tv

PREMIER LEAGUE – JAVA E 9-TË
CHELSEA 7-0 NORWICH
Shënues:
Mount 8’, 85’, 90+1’, Hudson-Odoi 18’, Chilwell 57’, Aarons (autogol) 62’