Chiellini flet për racizmin: I thashë Koulibaly se më vinte turp që isha italian

Giorgio Chiellini ka dhënë një intervistë të gjatë për DAZN, ku ndër të tjera ai foli edhe për racizmin në shkallët e stadiumeve. Kapiteni i Juventusit, i është rikthyer fyerjeve raciste që Koulibaly ka pësuar në Fiorentina-Napoli. Ai tha se ishte një moment shumë i ulët dhe si italian atij i erdhi turp.

Duke marr shkas edhe nga fjalët që Lilian Thuram tha se futbollistët e bardhë duhet të ndihmojnë më shumë në këtë kauzë ai tha: “Sigurisht, ai ka të drejtë! Unë isha shoku i skuadrës së Thuramit dhe e di se si mendon ai. Së fundmi, mora Kalidoun në telefon dhe i thashë se sa i turpëruar u ndjeva që isha italian dhe toskan për atë që ndodhi në Firence. Jam i bindur se gjestet konkrete janë të nevojshme dhe se është e rëndësishme të jesh pranë shokëve të skuadrës dhe kundërshtarëve”.

“Më kujtohet një herë në Cagliari kur partneri im Matuidi kishte humbur kontrollin për shkak të fishkëllimave, është e vështirë. Unë besoj se ne kemi nevojë për ligje dhe rregulla. Ato më pas duhet të zbatohen dhe respektohen. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, por gjithmonë mbetet një pjesë e vogël për sa kohë që institucionet nuk bëjnë një ndryshim. Do të jetë gjithmonë shumë e vështirë pa ndihmën e tyre. Natyrisht, ne kemi nevojë për gjeste të forta. Unë jam gati! Mendoj se edhe shumë të tjerë prej nesh janë!”. /oversport.tv