Chiellini gjen fajtorin për startin e dobët: Ronaldo të kishte ikur më shpejt

Inter-Juventus nuk është kurrë një ndeshje banale në Serie A, aq më tepër këtë sezon që zikaltërit janë kampionët në fuqi të Italisë dhe e shohin veten më lart në renditje se bardhezinjtë.

Protagonist i këtij takimi do të jetë kapiteni i “zonjës së vjetër”, Giorgio Chiellini që flet për fillimin e vështirë në kampionat, që duket se tashmë është lënë pas krahëve. Një nga shkaqet që ndikoi në këtë fillim të dobët, sipas mbrojtësit ishte edhe largimi i Cristiano Ronaldos.

“E kishim kuptuar. Ishim në një pikë ku Cristiano kërkonte stimuj të rinj dhe një skuadër që luante për të. Prisja që të largohej në verë. Kur gjen ato kushte është gjithmonë vendimtar, ka qenë edhe tek Juventusi, por tek ne po rinovohet skuadra dhe ai kërkonte një skuadër ku mendohet më shumë për të tashmen sesa për të ardhmen”.

Lamtumira e portugezit erdhi në 28 gusht, pasi kishte luajtur në kampionat kundër Udineses: “Po të kishte qëndruar do të ishte një vlerë e shtuar, por largimi kaq vonë ishte një shok. Do të kishte qenë shumë më mirë për ne, nëse do të kishte ikur më parë, sepse do të kishim mundësinë që të përgatisnim më mirë sezonin. Kemi paguar për këtë gjë”.

“Nuk ishte e vështirë që të mësoheshim me lamtumirën e Ronaldos, por sigurisht që na tronditi. Kemi lënë pikë në ndeshjet e para për shkak të kësaj tronditjeje. Po të ishte larguar më parë do të ishim organizuar më mirë dhe do të ishim gati për fillimin e kampionatit”. /Oversport.tv