Federico Chiesa u transferua verën e vitit të kaluar nga Fiorentina te Juventus. Një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme dhe me një të ardhme të ndritur. Deçiziv në ndeshjet e bardhezinjve, por edhe në Kombëtaren italiane .
Në një intervistë për The Telegraph, Chiesa komentoi finalen dramatike përballë Anglisë dhe triumfin në Euro 2020. “Ishte një finale e pabesueshme. Anglia gëzonte një formë fantastike dhe na priste një Wembley magjik. Të them të drejtën, goli i shpejtë i Luke Shaw na frikësoi, por e rëndësishme është që e përballuam dhe në fund ia dolëm”, deklaron ai.
Ish-trajneri i Italisë dhe Fiorentinës, Cesare Prandelli beson se Chiesa i ka të gjitha aftësitë për t’u bërë një nga lojtarët më të mirë në Europë, por anësori i Juventusit kërkon të rrijë me këmbë në tokë.
“Kam ende shumë punë për të bërë, duhet të përmirësohem në disa aspekte dhe duhet të jap më të mirën time në çdo ndeshje. Sapo kam fituar një trofe dhe duhet të luftoj për vendin e titullarit në skuadër”, shtoi Chiesa.
Pas një nisje të vështirë të sezonit Zonja e Vjetër ka fituar dy ndeshjet e fundit në Serie A dhe ditën e sotme do të luajë përballë Chelsea në Champions League. Pritja dhe presioni nuk e shqetësojnë Federicon.
“Jam 23 vjeç, sapo kam fituar kampionatin Europian dhe kam uri për të fituar më shumë. Kjo është arsyeja pse vendosa të vij këtu. Kërkesat janë më të larta dhe në Torino duam të fitojmë gjithçka. Skuadra ka vend për përmirësim, por duhet të fokusohemi te Chelsea. Flasim për një kundërshtar të fortë dhe sigurisht një nga pretendentët”. / oversport.tv