Chiesa: Triumfuam me shpirt ndaj Chelsea! Krisje me Allegrin? Shpikje

Juventus arriti një fitore të rëndësishme mbrëmjen e djeshme përballë Chelsea, me rezultatin 1-0. Federico Chiesa, protagonisti i ndeshjes, deklaroi për Amazon Prime Italia, se kjo fitore e rëndësishme tregoi shpirtin e bardhezinjve për të dalë me pikë të plota.

“Ishte një ndeshje shumë e luftuar, sepse Chelsea na mbajti në presion me qarkullim të mirë të topit, por ne treguam se si Juventus di të japë shpirtin në fushë, atë që trajneri po kërkoi nga ne”.

“Ai ndryshoi sistemin e lojës dhe na kërkoi të sulmonim hapësirat”, shpjegoi ai, “Chelsea po luante mirë dhe bëmë mirë që i ndëshkuam”.

Sulmuesi italian mori çmimin “Lojtari i Ndeshjes” dhe u shpreh se për të është një sfidë e madhe të luajë në këtë kompeticion. “E shijuam fitoren, por na pret një ndeshje tjetër e rëndësishme të shtunën”.

“Krisje mes meje dhe trajnerit? Nuk kam patur kurrë probleme me trajnerin, e gjitha është e shpikur nga mediat. Unë bëj çfarë ai kërkon, nuk ka asnjë çështje këtu.

E di që e kemi nisur keq sezonin dhe është normale që të flitet për thashetheme të pakuptimta. Duam të rikthehemi dhe të dominojmë kampionatin sërish”, tha Chiesa. / oversport.tv