Cikalleshi: Të tregojmë gjakun e shqiptarit, jo gjithmonë fiton më i miri

Sokol Cikalleshi, sulmuesi i kombëtares shqiptare, ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen e nesërme në “Wembley” në duelin kundër Anglisë. Sulmuesi, i cili luan në Turqi me fanellën e Konyaspor, fillimisht tha:

“E dimë shumë mirë që jetë nesër një nga ndeshjet më të vështira të viteve të fundit. Dihen kualitetet e Anglisë. Ne duhet të bëjmë një nga ndeshjet më të mira, të përsërisim ato pak ndeshje që kemi ndaj ekipeve me kualitet.

Mund të kujtojmë ndeshjet me Portugalinë dhe Francën. Duhet të përsëritim shpirtin e garës dhe disiplinën taktike. Është mënyra e vetme të bëjmë diçka ndryshe nesër”.

“Sa i takon COVID, jam rikthyer më i fortë dhe e kam treguar në Turqi. Ndjehem mirë dhe do doja të shënoja. E di që do kem mbrojtësit më të mirë në botë përballë. Ky është futbolli dhe kjo ëshët e bukur. Uroj të shënojë ekipi, kjo ka rëndësi. Do doja që goli të kishte vlere, kjo është gjëja më e mrië, pasi do na ndihmonte në atë që duam”.

“Do jetë një ndeshje e bukur nesër në Wembley, e them në aspektin personal dhe të ekipit. E thashë që është e vështirë. Nuk do na ndikojnë tifozët. Do mundohemi të nxjerrim më të mirën tonë në këtë ndeshje. Kudo ku kemi luajtur tifozët tanë kanë qenë dhe do jenë me ne. Janë shtysë për ne dhe e dimë që e kemi mbështetjen e tyre. Uroj që nesër të dalin të kënaqur me rezultatin, ose me shpirtin e lartë të garës”.

“E dimë se çfarë lojtarësh ka Anglia dhe çfarë cilësish. E dimë gjithashtu që na mundën në Shqipëri. Ky është futbolli dhe në ditët e sotme nuk varet vetëm nga kualiteti, por edhe nga dhënia e shpirtit në fushë. Mendoj se kualiteti nuk fiton gjithmonë. Nesër ne duhet të jemi të disiplinuar dhe të japim maksimumin, të shfaqim gjakun tonë prej shqiptari në fushë”. / oversport.tv