City zot i Manchesterit, mposht United në derbin e qytetit

City ka veshur me ngjyrat blu qytetin, pasi mposhti me rezultatin 2-0 rivalët e përjetshëm të United në derbin e Manchesterit. Ekipi i Guardiolës e mbylli ndeshjen që në pjesën e parë duke shënuar të dy golat.

Pjesa e parë nisi vrullshëm për City-n që gjeti një gol të shpejtë fal gabimit të Eric Bailly. Mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë shënoi në portën e tij pas një largimi të gabuar të topit. Edhe dyfishimi i rezultatit erdhi përsëri si pasojë e një gabimi të mbrojtjes së Manchester United. Një krosim “i thatë” i Joao Cancelo u neglizhua nga Luke Shaw. Kështu, Bernardo Silva përfitoi nga situata duke e çuar rezultatin në 2-0.

Ndërkohë, në pjesën e dytë ritmi u ul ndjeshëm me Manchester Cityn që u përpoq të menaxhonte rezultatin e pjesës së parë. Të dyja ekipet nuk patën shumë mundësi të rrezikshme, përveç një rasti të qytetarëve me Phil Foden. Talenti anglez realizoi një goditje të rrezikshme në cepin e portës që u ndal vetëm nga shtylla. Kështu pjesa e dytë u mbyll pa asnjë goditje në kuadrat, me Cityn që del me pikët e plota nga supersfida e javës. /oversport.tv

PREMIER LEAGUE-JAVA E 11-TË
MANCHESTER UNITED-MANCHESTER CITY 0-2
Shënues:
Bailly (autogol) 7’, Silva 45’