Clippers fiton derbin ndaj Lakers, Trae Young ndal i vetëm Phoenix

Ka mjaftuar vetëm një pikë më shumë që Los Angeles Clippers të fitojë derbin e qytetit kundër Lakers. Edhe pse ishte Anthony Davis (30 pikë) ai që realizoi më shumë kosha në këtë takim, kjo gjë nuk i mjaftoi Lakers për të fituar pasi u mposhtën me rezultatin 111-110. Nga ana tjetër,  Marcus Morris dhe Reggie Jackson ishin dy lojtarët që shkëlqyen më shumë për Clippers duke realizuar respektivisht 29 dhe 25 pikë.

Golden State Warriors kanë mposhtur në shtëpi Sacramento Kings me rezultatin 126-114. Davion Mitchell dhe Harrison Barnes ishin dy lojtarët që realizuan më shumë pikë këtë takim. Ndërkohë, ylli i Warriors, Steph Curry realizoi 20 pikë, një rebound dhe shtatë asist.

Mposhtet pas 11 fitoresh radhazi Phoenix Suns që ranë në transfertë kundër Atlanta Hawks. Këta të fundit fituan me rezultatin 124-115. U duk si një ndeshje ku Trae Young i mposhti i vetëm Phoenix pasi realizoi 43 pikë në këtë takim.

Edhe Chicago Bulls është mposhtur në transfertë nga Toronto Raptors me rezultatin 127-120. Në ndeshje të tjera, Miami Heat ngjitet në vendin e dytë pasi fitoi me rezultatin 112-95 kundër San Antonio Spurs, ndërsa Minnesota Timberwolves fitoi në transfertë me rezultatin 128-117 kundër Detroit Pistons. /oversport.tv