“Çmendet” Towns, Curry feston me 47 pikë ditëlindjen! Bien Lakers dhe Bulls

Në mbrëmjen e NBA spikasin fitoret e Milwaukee dhe Golden State: kampionët në fuqi mposhtin 117-111 Utah (30 pikë për Giannis Antetokounmpo), ndërsa Curry realizon 47 pikë në suksesin 126-112 të Warriors përballë Washington.

“Çmendet” Karl-Anthony Towns (Minnesota) që shënon 60 pikë në suksesin përballë San Antonio, ndërsa Young udhëheq Atlantan në përmbysjen kundër Portland me 46 pikë.

Jokic fiton përballjen kokë më kokë me Embiid, ndonëse ky i fundit shënon 34 pikë. Zhgënjejnë Chicago dhe LA Lakers që humbasin ndeshjet respektive.

GOLDEN STATE WARRIORS-WASHINGTON WIZARDS 126-112

Nuk mund të festonte më mirë ditëlindjen e tij të 34-t: Steph Curry zhvillon një tjetër paraqitje spektakolare dhe udhëheq Warriors në fitoren përballë Washington. Skuadra e teknikut Kerr merr fitoren e katërt radhazi në kampionat dhe ruan vendin e dytë në renditjen e Konferencës së Perëndimit.

Rekordmeni i trepikëshave shënon 47 pikë në këtë sfidë, ndërsa Poole dhe Thompson nga 20 pikë secili. Për Wizards 6 lojtarë arrijnë të shënojnë 10 ose më shumë pikë, por Porzingis (25 pikë) është i vetmi që kalon shifrën e 20 pikëve.

SAN ANTONIO SPURS-MINNESOTA TIMBERWOLVES 139-149

Në San Antonio skenën e vjedh Karl-Anthony Towns, që bën paraqitjen më të mirë në karrierë përsa i përket pikëve të shënuara, pasi realizon plot 60 pikë përballë Spurs.

Rekord sezonal, maksimumi në karrierë dhe rekord për skuadrën e Minnesotas, që fiton 149-139 në shtëpinë e San Antonio. Karl-Anthony Towns zhvillon një ndeshje “të çmendur” dhe realizon edhe 17 rebounde.

Johnson me 34 pikë dhe Dejounte Murray me 30 pikë dhe 12 rebounde janë më të mirët për vendasit, por nuk mjaftojnë për të fituar këtë sfidë.

PHILADELPHIA 76ERS-DENVER NUGGETS 110-114

Embiid dhe Harden realizojnë së bashku 58 pikë, por nuk mjaftojnë që Philadelphia të mposhtë Denverin. Pavarësisht avantazhit fillestar, Sixers përmbysen nga Nuggets, që fitojnë takimin falë një periode të 4-t të shkëlqyer.

Kamerunasi shënon 34 pikë, ndërsa ish-lojtari i Brooklyn realizon 24 pikë dhe 11 asiste për Philadelphian. Denveri mbështetet te i zakonshmi Nikola Jokic, që shënon 22 pikë dhe 13 rebounde, por edhe Hyland (21 pikë) dhe Barton (20 pikë) kontribuojnë në fitore. /Oversport.tv

Foto: Minnesota Timberwolves Twitter

Ndeshjet e tjera të NBA:

UTAH JAZZ-MILWAUKEE BUCKS 111-117

SACRAMENTO KINGS-CHICAGO BULLS 112-103

LOS ANGELES LAKERS-TORONTO RAPTORS 103-114

CLEVELAND CAVALIERS-LOS ANGELES CLIPPERS 120-111

ATLANTA HAWKS-PORTLAND TRAIL BLAZERS 122-113

OKLAHOMA CITY THUNDER-CHARLOTTE HORNETS 116-134