Çmenduri në “Bernabeu”, Benzema përmbys i vetëm PSG dhe kualifikon Realin

Real Madrid është kualifikuar në fazën çerekfinale të Champions League pas një përmbysjeje të çmendur kundër PSG me rezultatin 3-1. Ekipi i Ancelottit nuk u dorëzua në asnjë moment edhe pse e gjeti veten në disavantazhin e një goli në pjesën e parë. Benzema ishte heroi i “galaktikëve” pasi i vetëm mori për krahu të tijët dhe shënoi një tripletë që eliminoi yjet e PSG.

Real Madrid krijoi idenë që në startin e takimit se do të bëntë të pamundurën që të dilte me fitore nga ky takim, ndërsa që në 30 sekonda krijoi rrezikun e parë në zonën e PSG. Megjithatë, rasti i parë serioz në portë u regjistrua nga Mbappe që i shpëtoi mbrojtjes së Realit, por goditja e tij me të majtën u ndal nga Courtois.

Do të ishte sërish PSG që do të rrezikonte me Neymar këtë herë, por goditja e tij e lehtë u ndal nga portieri. Benzema nga ana tjetër kërkoi të surprizonte Donnarumman me një goditje nga jashtë zone, por italiani bëri mrekullinë duke mos lejuar topin të shkonte në trekëndëshin e portës.

PSG u hodh sërish në sulm dhe këtë herë kombinimet e Neymar dhe Messi vendosën argjentinasin përballë Courtouis, por goditja e “pleshtit” nuk shkoi në kuadrat, por kaloi në gjithë panoramën e portës.

Në minutën e 34-t PSG gjeti edhe rrugën e rrjetës me Kylian Mbappe, por anësori ngriti flamurin për një pozicion jashtë loje të Mendes. Reali u kundërpërgjigj menjëherë me Benzema me dy raste të njëpasnjëshme. Benzema provoi dy herë me kokë, por Donnarumma ndaloi tentativën e parë, ndërsa në të dytën topi nuk gjeti kuadratin.

PSG heshti Santiago Bernabeun në minutën e 39-të pasi shënoi edhe golin që prishi ekuilibrat e takimit. Francezi u nis në një kundërsulm të shpejtë pas një pasimi të mirë të Neymar dhe nga limitet e zonës gjeti edhe rrugën e rrjetës.

Reali u përpoq të reagonte menjëherë me Modric, por goditja e tij nga distanca ishte qëndrore, ndërsa pjesa e parë u mbyll në avantazhin e miqve.

Në pjesën e dytë, PSG do të gjente sërish rrugën e rrjetës edhe njëherë me Mbappe, por sërish golin i tij u anulua. Nga ana tjetër, Benzema ngriti peshë stadiumin në minutën e 61. Një gabim i pafalshëm i Donnarummas solli edhe golin e barazimit. Italiani e çoi topoin në këmbët e Vinicius. Ky i fundit gjeti të lirë në zonë Benzema që nga fare pranë portës, shënoi edhe golin që vendosi ekuilibrat.

“Galaktikët” morrën zemër pas golit të shënuar dhe Benzema shkoi shumë pranë përmbysjes së madhe në minutën e 65-të. Goditja e tij me kokë shkoi ngjitur me shtyllën e mbrojtur nga gardiani italian.

I pafat edhe Vinicius Junior në minutën e 73-të që nga fare pranë portës nuk u tregua i saktë në goditjen e tij. Megjithatë, përmbysja e madhe erdhi nga ai që shënoi edhe golin e parë.

Modric gjeti të lirë në zonë Benzema me një pas mjaft të bukur dhe ky i fundit nuk mund të falte duke e çuar rezultatin në 2-1. Surpriza e madhe erdhi vetëm një minutë më vonë. PSG luajti topin nga mesi i fushës pas golit të pësuar, ndërsa topi u rikuperua menjëherë nga lojtarët e Realit.

Vinicius u nis menjëherë në një sulm të shpejtë, ndërsa Marquinhos u përpoq të largonte topin, por e çoi atë në limitet e zonës. Pikërisht aty u gjend i përhershmi Benzema që shënoi edhe golin që solli përmbysjen e çmendur të Realit.

Kështu francezi vulosi edhe rezultatin final të këtij takimi, pavarësish PSG-së që u përpoq të ndryshonte rezultatin. Messi i shkoi shumë pranë golit me një goditje dënim, por në fund takimi përfundoi me rezultatin 3-1.

Kështu Real finalizoi edhe përmbysjen e madhe kundër PSG dhe shkon më tej në fazën çerekfinale, ku është në pritje të rivalit të radhës.

Foto: UEFA Champions League Twitter