Çmimi i Madh i Turqisë: Triumfon Bottas, Verstappen në krye të renditjes

Është Valtteri Bottas ai që ka triumfuar në Çmimin e Madh të Turqisë. Piloti finlandez zhvilloi një garë të shkëlqyer duke arritur të rruaj vendin e parë që nga xhirua hapëse deri në atë të fundit. Kështu Bottas ka marrë vendin më të lartë në podium, i ndjekur nga Max Verstappen.

Edhe holandezi e mbylli garën në pozicionin që e nisi. Megjithatë kaq ka mjaftuar për Vertappen i cili bashkë me podiumin këtë garë, mori edhe kryesimin e përgjithshëm të pilotëve duke lënë pas shtatë herë kampionin në fuqi Lewis Hamilton.

Vendin më të ulët në podium e mbajti piloti tjetër i Red Bull, Sergio Perez. Meksikani e nisi nga vendi i gjashtë por falë një gare fantastike arriti të fitonte tre pozicione më shumë.

Sakaq  Charles Leclerc humbi një pozicion nga fillimi i garës duke e mbyllur Çmimin e Madh të Turqisë në vendin e katërt.

Vetëm vendi i pestë për Lewis Hamilton. Edhe pse në provat zyrtare britaniku rregjistroi kohën më të mirë, për shkak të një penaliteti ai e nisi nga vendi i 11. Megjithatë Hamilton arriti të rikuperonte 6 pozicione duke mos lënë shumë terren në garën për titull ndaj Max Vertappen.

Kështu renditja e përgjithshme për pilotë ka ndryshuar me Max Verstappen që ndodhet në vendin e parë duke parakaluar Lewis Hamilton. /oversport.tv