Colella: Grupi është forca e kësaj skuadre, duhet të përmirësohemi në mbrojtje

Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella ka folur për Oversport pas fitores përballë Kastriotit që riktheu “demat” në krye të renditjes.

“E kishim vlerësuar shumë këtë ndeshje. Jam i kënaqur nbga skuadra, kemi vlerësuar kundërshtarin dhe arritëm të merrnim një fitore të rëndësishme.

Shënuan të gjithë sulmuesit? Sulmuesit jetojnë për të bërë gol, prandaj kjo gjë na pëlqen dhe na kënaq. Sulmuesit shënojnë kur skuadra i mbështet, prandaj është meritë e të gjithë skuadrës. Mesfusha shumë e fortë? Mendoj që kam një skuadër shumë të mirë dhe jo vetëm në mesfushë. Është e vërtetë që kemi mesfushorë shumë të mirë, por këtë skuadër nuk e bën vetëm një repart. Kur shënojmë ka meritë edhe ai që nis aksionin.

Pësuat një gol të evitueshëm? Nuk e di, por e prisja këtë pyetje. Ka gjithmonë nevojë për të punuar, edhe sikur të mos pësonim gol, kishim disa momente jo të mira në mbrojtje. Tani kemi akoma më shumë punë për të bërë, për tu përmirësuar në mbrojtje. Shumë lojtarë të Partizanit në kombëtare, jeni i kënaqur? Na jep kënaqësi kjo gjë. Por siç kam thënë për Skukën dhe Bitrin, që tashmë janë larguar, ka meritë e gjithë skuadra që nxjerr në pah vlerat e individëve”, ka thënë Colella. / Oversport.tv