Colella: Ndaj Partizanit të gjithë japin 300%, të avantazhuar që luajmë në shtëpinë tonë

Trajneri i Patizanit, Giovanni Colella ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Vllaznisë që do të luhet nesër në orën 16:00 dhe do të transmetohet live në Oversport dhe Tibo.

“Çdo ndeshje vlen tre pikë, e qartë që ndeshja e parë pas ndalesës ka rëndësi se të rinisesh mirë është diçka e rëndësishme. Vlen gjithmonë tre pikë, por ka pak më shumë vlerë.

Vllaznia është një kundërshtar që respektojmë, është shumë i fortë. Por siç e dini më mirë se unë, çdo kundërshtar që vjen të luajë ndaj Partizanit jep 300%. Ajo që duhet të mësojë të bëjë skuadra është të presë një kundërshtar në maksimum ndaj nesh.

Fusha jonë është shtëpia jonë, stërvitemi këtu e luajmë. Është e qartë që e konsiderojmë një avantazh që luajmë këtu.

Them se jemi në formë të mirë, nuk është se kemi probleme në veçanti përveç atyre të zakonshmeve. Matondo dhe Da Silva do të mungojnë.

Telashet e skuadrave si Vllaznia e Tirana me merkaton dhe financat? Janë gjëra që nuk më interesojnë absolutisht. Unë mendoj për skuadrën time dhe të bëjnë maksimumin. Pastaj që të tjerët të jenë të kuq, blu, të verdhë, të gjelbër, të kenë para apo jo, janë probleme të tyre. Preferoj të mos komentoj të tjerët, komentoj skuadrën time, jo atë që ndodh te të tjerët. Mua më ka ndodhur të fitoj një kampionat pa marrë para për 6 muaj”, ka thënë Colella. / Oversport.tv