Colella: Nuk do ta ndiejmë largimin e Skukës dhe Bitrit, Teuta skuadra e momentit

Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella ka folur në një konferencë për shtyp për mediat në prag të ndeshjes së nesërme kundër Teutës, që do të luhet në orën 16:00 dhe do të transmetohet në Oversport dhe Tibo.

Pas Kastriotit përballeni me një tjetër ekip që pozicionohet në vendet e fundit të klasifikimit?

Nuk e cilësoj Teutën një skuadër të vendeve të fundit, por një ekip që ka bërë më shumë pikë se të tjerët në ndeshjet e fundit. Mendoj se është një ndeshje shumë e fortë.

Do ketë ndryshime në formacion?

Diçka do të ndryshojë, sepse është larguar ndonjë, por nuk do të ketë ndryshime të mëdha.

Në përballjet ndaj Teutës, Partizani regjistron statistika pozitive –

Statistikat janë gjërat që nuk vlejnë. Teuta me të cilën jemi ndeshur para 10 ndeshjesh, nuk është Teuta e tashme, është një skuadër krejtësisht ndryshe.

Da Silva?

Ai është pjesë e skuadrës dhe të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Teutës.

Largimet e Skukës dhe Bitrit?

Janë dy lojtarë të mirë që u larguan, por unë jam i bindur se në organikën tonë kemi cilësinë për t’i zëvendësuar.

Ishit dakort për largimet e Skukës dhe Bitrit?

Çdo gjë që bën klubi, e bën në dakordësi me të gjitha palët. Nëse klubi vendos që të shesë një lojtar, mendoj se trajneri nuk ka forcën që të thotë të mos e shesin, sepse strategjia e klubit është mbi strategjinë e trajnerit. Pastaj trajneri është ai që vendos për aspektin teknik për zëvendësuesit, por edhe për ata që lojtarët që mbërrijnë është thelbësore vizioni i klubit.

Shiriti kapitenit?

Telushi mund të jetë zgjidhje, e kemi diskutuar, por nuk e vlerësoj edhe aq të rëndësishme. Edhe kur ishte Bitri, kishte një grup lojtarësh, ata më ekspertë, që janë kapitenët, nuk është vetëm një në skuadër sipas meje. Brenda këtij grupi do të jetë kapiteni i ardhshëm.

Preka?

Preka rifilloi punë këtë javë dhe ka ende një rrugë mjaft të gjatë përpara. Por padyshim Preka është marr për të qenë një element i rëndësishëm në grup. Kur të jetë në dispozicion, do të ketë shansin e tij siç e kanë pasur të gjithë.

Ju bind reparti i mbrojtjes për të përballuar sezonin?

Absolutisht që kemi mbrojtës, nuk ka ndonjë diferencë aq të madhe mes atyre që kanë luajtur më shumë dhe atyre që kanë luajtur më pak. Kemi mbrojtës të mirë si Menish dhe Saliu të cilët na i kanë kërkuar ekipe të tjera të Superiores. Ata do të kenë më shumë shanse se sa kishin më përpara.

Afrimet e Bilalit dhe Shahaj?

Ata janë dy lojtarë të mirë, janë djem që kanë ardhur me dëshirën për t’u vënë në dispozicion dhe për të luajtur për Partizanin, ndaj për mua ky është një motivim shumë i fortë.

Frikë nga largimi i lojtarëve me eksperiencë?  

E kam thënë shpesh se fjala frikë nuk bën pjesë në botën e futbollit. Më vijnë në mendje ata që shkojnë të flenë në Ukrainë natën duke dëgjuar bombat, ajo është frika. Por përtej kësaj, u vendos në bashkëpunim me klubin dhe strategjinë që ka klubi, që të besohej te lojtarë që i përkasin të ardhmes, lojtarë që kanë mundësi të bëhen edhe më të fortë dhe të mos marrim lojtarë pa ekip e që kanë një moshë të caktuar.