Commisso: Vlahovic po më nervozon, refuzoi kontratë më të mirë se Batistuta

Dusan Vlahovic po kthehet në çështje te Fiorentina. Sulmuesi serb ka hedhur poshtë ofertën e fundit dhe presidenti Rocco Commisso nuk e ka përtypur ende.

Kreu i Fiorentinës e ka paralajmëruar sulmuesin serb, të cilit i është ofruar një kontratë më e mirë se ajo që kishte legjenda Gabriel Batistuta te klubi italian.

“Nuk e di nëse Vlahovic do të nënshkruajë një kontratë të re. I kemi ofruar atij 40 milion euro pagë bruto të paguar në pesë vite, kontrata më e madhe në historinë e Fiorentinës, më shumë se sa kanë marrë Batistuta dhe Rui Costa.

Ai është duke ndërmarrë një risk të madh dhe po më bën nervoz”, është shprehur për “TMW” Commisso.

Vlahovic sigurisht që tundohet nga oferta e marra nga Anglia dhe Spanja, ku e presin kontrata prej të cilave mund të përfitojë 7-8 milion euro në sezon.

Sulmuesit i përfundon kontrata me italianët e Fiorentina në qershor të vitit 2023 dhe verën e ardhshme, nëse nuk ka rinovim, atëherë shitja e tij kthehet në domosdoshmëri. / oversport.tv