Conference League/ Baseli i Xhakës përmbys Fiorentinën dhe fiton gjysmëfinalen e parë, triumfon edhe West Hami

Baseli i Taulant Xhakës përmbys Fiorentinën në aktin e parë gjysmëfinal, duke fituar në Itali me rezultatin 2-1 dhe hedh një hap të rëndësishëm drejt finales së madhe të Conference League. Po me rezultatin 2-1 ka fituar edhe West Ham në shtëpi ndaj AZ Alkmaar.

Sfida mes Fiorentinës dhe Baselit nis më mirë për skuadrën italiane që gjen rrugën e rrjetës pas 25 minutash me Arthur Cabral dhe i çon shifrat në 1-0. Ky është edhe rezultati që mbyll pjesën e parë, pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja skuadrat.

Në pjesën e dytë, kur pritet që Fiorentina të mbyllë takimin, është Baseli ai që surprizon në Firence. Taulant Xhaka asiston për Diouf dhe ky i fundit nuk gabon duke çuar topin në rrjetë. Më pas në frymën e fundit, Amdouni shtang italianët duke i çuar shifrat në 2-1. Me këtë rezultat mbyllet edhe takimi, me Baselin që merr një fitore të rëndësishme në aktin e parë, por gjithçka mbetet e hapur për sfidën e kthimit.

Në sfidën tjetër, po me përmbysje fiton edhe West Ham përballë AZ Alkmaar. Reijnders kalon në avantazh holandezët në fundin e pjesës së parë. Megjithatë, anglezët nuk dorëzohen dhe në pjesën e dytë realizojnë përmbysjen. Fillimisht është Benrahma që vendos ekuilibrat me anë të një 11-metërshi, e më pas Antonio vulosin fitoren e skuadrës Angleze. /oversport.tv

Foto: UEFA Europa Conference League, Twitter