Conte hidhet në sulm, kërkon bomberin e Fiorentinës që në janar

Pritet që në Firenze të jetë një janar i nxehtë në merkato. Situata e Dusan Vlahovic vazhdon që të mbajë në ankth të gjithë, por pritet që në muaj të vazhdim gjithçka të zgjidhet.

Sipas lajmeve që vijnë nga Anglia, sulmuesi serb është objektivi i parë në listën e Antonio Contes, që synon që të marrë në Tottenham bomberin e skuadrës “vjollcë”, që në merkaton e janarit.

Në rast të një largimi të mundshëm të Harry Kane, reparti ofensiv i klubit anglez do të ishte i sigurtë me ardhjen e Vlahovic. Duket se kjo situatë ka nxjerrë në plan të dytë Juventusin në “luftën” për të siguruar shërbimet e sulmuesit serb.

Për momentin nuk ka oferta apo lëvizje zyrtare, por dëshira e “Spurs-ave” për të mbyllur sa më shpejt këtë marrëveshje, mund të zgjidhë përfundimisht të ardhmen e Vlahovicit. Lojtari dëshiron që të rrijë në Firenze deri në fund të sezonit, por duket se duhet të bëjë një zgjedhje që në janar.

Pas ardhjes së Contes, Tottenhami është i gatshëm që të ofrojë shumë para “cash” për të bindur Commisson. Gjë, të cilën Juventusi nuk mund ta bëjë në muajt ardhshëm, pasi situata në arkat bardhezi nuk është në gjendjen e saj më të mirë. Nëse nuk ka surpriza të mëdha e ardhmja e Dusan Vlahovic është në Premier Ligën angleze. / Oversport.tv