Conte: Një nder i madh të jem këtu, do të fitoj respektin e tifozëve

“Të jem trajneri i ri i Tottenhamit është një nder i madh dhe dua që të shpërblej besimin që më dha klubi. Filozofia ime e lojës? Është shumë e thjeshtë, të bëjmë një futboll të bukur me pasion për tifozët tanë dhe të kemi një skuadër të stabilizuar dhe të ekuilibruar”.

Këto janë fjalët e para të Antonio Contes në intervistën e tij të parë zyrtare në mediat e Tottenhamit. “Mendoj se tifozët meritojnë një skuadër konkurruese, që lufton në fushë dhe do të bëjë të pamundurën që të fitoj respektin e tyre”, ka vazhduar ish-trajneri i Interit.

Tekniku është pyetur edhe për të shkuarën dhe eksperiencat e tij në Itali: “Titujt e mi? Janë gjëra të së shkuarës, unë mendoj për të tashmen. Tek Juventusi hapa një cikël prej 9 kampionatesh radhazi, të cilin e ndërpreva më pas me Interin. E shkuara është e rëndësishme dhe jam krenar, por tashmë jam i përqendruar tek kjo sfidë e re”.

Conte pranon se ka qenë i kontaktuar edhe më parë nga drejtuesit e Spurs-ave: “Tottenhami më kërkoi edhe verën e kaluar, por sapo kisha mbyllur dy sezone të lodhshme me Interin. Nuk ishte momenti i duhur për të nisur një eksperiencë të re, preferova të shijoja pak kohë me familjen time.

Tottenhami është një klub i rëndësishëm në Angli, me një stadium dhe një fushë stërvitore të mrekullueshme. Klubi më kërkoi me ngulm dhe ky ishte momenti i duhur për të ardhur. Kemi dëshirë të bëjmë diçka të madhe për tifozët dhe klubin”, ka përfunduar Conte. / Oversport.tv