Correa dhe Vidal të gatshëm për Champions, Inzaghi synon pikët e para në grup

Sfida e nesërme në Champions kundër Shakhtarit është shumë e rëndësishme për objektivat e Interit në këtë turne.

Pas disfatës së papritur ndaj Realit të Madridit në ndeshjen e parë në grup, zikaltërit kërkojnë një fitore përballë ukrainasve, rivalëve për vendin e dytë në grup, që të mbajnë gjalllë shpresat për kualifikim.

Tekniku Inzaghi kërkon maksimumin në transfertën e Karkhivit dhe për këtë sfidë i rikthehen edhe Correa dhe Vidal, që munguan në ndeshjen e fundit në kampionat kundër Atalantës. I vetmi që mungon, por tashmë ky është një lajm që dihet, është Sensi.

Përsa i përket formacionit, tekniku zikaltër nuk ka shumë dyshime dhe u beson titullarëve të zakonshëm. Në mbrojtje luan treshja e zakonshme Skriniar-de Vrij-Bastoni, ndërsa në mesfushë Barella dhe Brozovic janë të paprekshëm.

Calhanoglu dhe Perisic gjithashtu duket se do ta nisin nga minuta e parë, ndërsa në krahun e djathtë ka një balotazh mes Darmian dhe Dumfries. Sulmi dihet që tashmë i përket dyshes Lautaro-Dzeko. /Oversport.tv