Hernan Crespo, ish-sulmuesi i Milanit dhe Interit, ka dhënë një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport” në të cilën ka folur për kuqezinjtë, duke i lavdëruar shumë:
“Djalli më pëlqen gjithmonë e më shumë, sepse arrin që të kalojë në mënyrë brilante momentet e vështira. Pioli ka bërë dhe po bën një punë të madhe, sepse të gjithë i kanë përvetësuar idetë e trajnerit dhe nuk kuptohet nëse në një ndeshje luan dikush dhe në ndeshjen tjetër dikush tjetër”.
Crespo është i gatshëm që të vendosë bast për një talent që mund të rezultojë vendimtar: “Leao po bën shumë mirë, më duket në rritje të vazhdueshme. Është zot i krahut dhe shumë i mirë në shpejtësi dhe teknikë kur futet në aksion. Edhe Tonali mund të jetë vendimtar në këtë rrugëtim. Gjithsesi Milani mund të quhet i përmirësuar kur të jetë zot i fushës për 90 minuta”.
Në prag të sfidës kundër Liverpool në Champions, mendja të shkon tek e kaluara, ose më saktë tek dy finalet e mëdha mes këtyre dy skuadrave. Milani mori hak në Athinë në vitin 2007 për disfatën e pësuar në Stamboll dy vite më parë. Në finalen e humbur në Turqi, Hernan Crespo shënoi dy gola dhe festonte si i çmendur në pushim të pjesës së parë, më pas ndodhi përmbysja e madhe e anglezëve.
“Ishte një moment i errët, por duhet ta kujtojmë që historia të mos përsëritet. Për mua ajo finale ishte një traumë. E pranoj që nuk e kam kaluar plotësisht asnjëherë”, ka thënë mes të tjerash bomberi argjentinas. / Oversport.tv