Nuk kanë fund rekordet që vendos Cristiano Ronaldo. Në ndeshjen e djeshme në Bernë kundër Young Boys, portugezi shënoi golin e radhës në Ligën e Kampioneve, duke arritur kuotën e 135 golave në këtë kompeticion, 15 më shumë se rivali legjendar Lionel Messi.
Në startin e sezonit të tij të 19-të në Champions, ylli i Manchesterit barazoi Iker Casillas me 177 paraqitje në turneun më të rëndësishëm europian për klube. Shumë shpejt Ronaldo do të qëndrojë i vetëm në krye të kësaj renditje të veçantë.
Portugezi ka nisur shumë mirë aventurën e tij me skuadrën e Manchester United, duke shënuar 3 gola në 2 ndeshjet e para të luajtura me fanellën e “djajve të kuq”.
Një episod i veçantë ka ndodhur para fillimit të takimit të djeshëm kundër zvicerianëve. Gjatë nxehjes, një top i goditur nga portugezi ka goditur një nga personat e sigurisë së stadiumit dhe ylli i Mançesterit ka shkuar menjeherë për të parë gjendjen e saj. /Oversport.tv