Cuadrado: Ronaldo? Po mundohemi ta harrojmë. Derbi do të jetë luftë

Mesfushori i Juventusit, Juan Cuadrado, pranon se skuadra e tij nuk luajti futbollin më të mirë në fitoren 1-0 kundër Chelsea-t në Champions dhe thotë se bardhezinjtë po mundohen të harrojnë sa më shpejt largimin e Ronaldos.

“Luajtëm si një skuadër dhe arritëm të merrnin një rezultat që e donim me çdo kusht. Është në ADN-në tonë që të japim maksimumin kundër skuadrave të mëdha. Nuk luajtëm futbollin tonë më të mirë, por në këto momente rëndësi ka rezultati.

Futbolli është plot me surpriza, mjafton të shihni humbjet e Realit të Madridit dhe Barcelonës”, ka thënë kolumbiani, që është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Juventusit këtë sezon.

Të shtunën Juventusi do të luajë derbin kundër Torinos dhe shpreson që të vazhdojë serinë e fitoreve edhe në Serie A, që të ngjitet sa më lart në renditje.

“Torino është një skuadër solide, e përmirësuar në krahasim me sezonin e kaluar. Do të jetë një ndeshje e veçantë, për ne dhe për fansat. Një betejë e vërtetë”.

Në fund Cuadrado ka edhe dy fjalë për ish shokun e skuadrës, Cristiano Ronaldo, që u largua drejt Manchesterit në verë: “Ne e dimë vlerën e tij dhe atë që ai përfaqsonte në skuadrën tonë. Gjithsesi ne po punojmë, që mungesa e tij të mos ndihet”, ka përfunduar mesfushori i Juventusit. /Oversport.tv