Çudia e statistikave, Milani grumbullon më shumë pikë pa Ibrahimovic

Milani grumbullon më shumë pikë pa golashënuesin e saj. Është një çështje apo një paradoks? Në fakt janë thjesht disa të dhëna. Ibrahimovic ka shënuar 8 gola në 15 ndeshje, 2 më shumë sesa Leao dhe 3 më shumë sesa Giroud.  Këtë të shtunë kundër Interit, suedezi rrezikon të mos jetë në fushën e lojës për shkak të problemeve në tendinën e Akilit.

Mirëpo ka jetë për Milanin edhe pa të në fushë. Më saktë ekzistojnë 2 skuadra. Një me suedezin dhe një pa të. Le ta nisim me Milanin ku Ibra është në fushë. Deri tani ka luajtur 11 ndeshje si titullar dhe ka shënuar 7 gola. Bilanci është 4 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje. Bilanci i golave është 18 me 15, ndërsa mesatarja e pikëve 1.36. Fitoret kanë ardhur kundër Bolognës, Romës, Genoas dhe Venezias.

Rendimenti i skuadrës pa Ibrën është tjetër histori, ose më saktë kur nuk është titullar. Milani ka arritur 11 fitore dhe 1 barazim, ndërsa nuk e ka provuar kurrë shijen e humbjes. Në 4 raste ai ka ardhur nga stoli dhe ka shënuar ashtu si me Lazion.

Kur 40-vjeçari nuk është titullar, Milani ka shënuar 28 gola dhe ka pësuar vetëm 10 me një mesatare pikësh 2.83. Ndoshta është rastësi, por Ibrahimovic nuk ka ndërmend të ndalet.