Daja: Donim të fitonim, në minutat e fundit Tirana hoqi edhe topat rezervë

Pas humbjes në derbi kundër Tiranës, ka folur për mediat trajneri i Partizanit, Ilir Daja. Ai u shpreh i pikëlluar nga humbja e ndeshjes pasi sipas tij ekipi e meritoi fitoren duke e dominuar kundërshtarin. Ai nuk i kurseu as kritikat ndaj arbitrave dhe kërkoi që ata të mos e gjykojnë më Partizanin.

HUMBJA NË DERBI– “Na vjen shumë keq të humbasim një derbi me një episod ku mbrojtësi jonë duhet të ishte treguar më i qetë në rastin e penalltisë. Më vjen keq sepse edhe në pjesën e parë edhe në pjesën e dytë kemi luajtur më shumë në gjysmëfushën e kundërshtarit. Nuk do të përmend mungesat sepse nuk ka qejf të justifikohem. Ndoshta disa lojtarë që janë më shumë me eksperiencë, duhet të ishin sot për të marrë në dorë ekipin dhe të zgjidhnin disa situata”.

KARTONI I KUQ I MUNGUAR- “Të them të drejtën nuk kam qejf të merrem me arbitrat. E kam cituar edhe vjet se po i njëjti arbitër që mban edhe stemën e FIFA-s që ishte sot, kur ka qënë në drejtim të ndeshjeve të Partizanit vjet, ekipi jonë nuk ka fituar asnjë ndeshje. Do ta analizojmë me vëmendje edhe punën e arbitrit, por nuk dua të krijoj alibi që edhe lojtarët të thonë se na dënoi arbitri. Gjithsesi, nuk kam asnjë lloj simpatie për arbitrin që nga kampionati i vjetshëm dhe do të kërkoj nga klubi që mos të jetë pjesë e arbitrimit në ndeshjet tona.

ARBITRIMI- Po marr vetëm anësorin. E kisha shumë afër dhe ka gabuar gati 7-8 herë në zonën e tij. Ne nuk do ta përcjellim humbjen e derbit tek arbitrat, por do bëj çmos që ky arbitër mos jetë më në ndeshjet tona.

GJUAJTJET NË PORTË- Gjuajtjet në portë janë edhe me interpretim sepse Cara ishte vetëm gjashtë metra larg portës, por nuk mundi dot të godiste. Pra, nëse statistika thotë që nuk e ka goditur dot portën, por ka pasur një rast shumë të pastër goli. Kemi mbajtur tiranën deri sa u detyrua të hiqte edhe topat në 10 minutat e fundit, deri sa s’kishte as top rezervë për të rifilluar ndeshjen. Kjo nuk na kënaq sepse ne donim ta fitonim ndeshjen, por prap është po e njëjta situatë që ne po gabojmë vetë dhe i falim gola kundërshtarit Kjo gjë duhet rregulluar edhe me ndihmën e lojtarëve me eksperiencë. /oversport.tv