Daja: Golat e rivalëve po i shënojmë vetë! Deklarata e Demit? Më shtohet përgjegjësia

Ilir Daja, trajneri i Partizanit, i mëshon asaj që ekipi i tij po prodhon lojë, por normalisht nuk është i kënaqur me rezultatet dhe faktin që po u dhurojnë gola kundërshtarëve javë pas jave. Tekniku kryeqytetas analizoi për mediat sfidën me Dinamon, si dhe komentoi deklaratën e presidentit Demi që tha se Daja nuk rrezikon prej rezultateve të javëve të para.

GABIMET – “Po ndodh si copy-paste. Nëse nuk do ishin këto gabime, që i kemi çdo ndeshje dhe kundërshtari na kalon në avantazh, do ishte situatë tjetër. Ne na duhet ta përmbysim, kurse për kundërshtarin është më e lehtë të ngjishet dhe të kërkojë të të kapë me kundërsulme. Ndryshuam vendosjen që t’i lëmë mbrojtësit pa presionin e kundërshtarit. Të vjen keq që edhe pa presion të bëhen këto lloj gabimesh. Ndoshta do shkojmë më lehtë të fitorja nëse nuk pësojmë këto lloj golash që kemi pësuar ne”.

SULMI DHE TAKTIKA– “Shënuam në pjesën e dytë kur ishim me një më shumë. Diskutuam dy variante që mund të vendosej kundërshtari. Nuk ndryshuam, por kërkuam nga mbrojtësit Sota e Belica të krijonin superioritet në linjat e qendrës. Aty e kishim superioritetin edhe në fillim.

Belica tentoi më shumë, Sota e kishte ndeshjen e parë dhe nuk i mori këto hapësira të qendrës. Natyrshëm është i justifikuar në një ndeshje të parë të tij. Duke shtyrë një prej tyre do bëhej e mundur që Mala e Rrapaj të shkonin para zonës së golit. Dinamo mbron mirë me linjën e parë, por me atë lloj vendosje do kishte probleme”.

PRESIONI – “Nëse kundërshtari do na kishte shënuar për meritën e vet sigurisht që do të ndihesha në presion, sepse në fund fare në katër javë janë pak pikët që kemi marrë. Kur mendon që në këto katër javë edhe golat që kemi pësuar i kemi shënuar vetë, kjo bën që ta shohësh gotën gjysmë plot. Deri në këto momente kemi bërë mirë, por edhe gabime të pafalshme si ndaj Dinamos.

Kemi prodhuar lojë e raste, jo vetëm në 45 minutat e dyta me Dinamo. Duhet ta mbështetim Carën, pasi është 21 vjeç. Vërtetë nuk po shënon, por ka tre javë që ka marrë penallti me veprimet individuale brenda zonës. Kishim edhe Markun e Rrapajn, që janë paraqitur mirë. Kaçe e Mala po rriten fizikisht dhe e shprehën ndaj Dinamo. Ne do fitojmë shumë më lehtë nëse nuk pësojmë kështu golash”.

MBËSHTETJA E DEMIT – “Në fakt ky lloj besimi që jepet nga drejtuesit, qoftë nga presidenti, qoftë nga drejtori, sigurisht që nuk ta ul dozën e përgjegjësisë, madje ta shton edhe më shumë atë. Kur ke mbështetje dhe nuk të mungon gjë, përveç fushës stërvitore që e presim si qershia mbi tortë, sigurisht që trajneri ndihet i kënaqur, por ka një detyrim moral shumë herë më të madh që këtë lloj besimi ta shprehë.

Përderisa ekipi reagon, prodhon lojë, ka frymë grupi, ne nuk kemi probleme me 23 titullarë, besoj se ndërprerja e kampionatit do na japë kohë të minimizojmë gabimet dhe të shkojmë aty ku pretendon klubi me investimet që ka bërë. Prej gabimeve po vuajmë të gjithë, drejtuesit, stafi lojtarët dhe tifozët tanë”, tha Daja në deklaratën e dhënë për mediat pas ndeshjes me Dinamon. / oversport.tv