Ilir Daja, trajneri i Partizanit, para derbit me Dinamon u shfaq para mediave në një konferencë për shtyp: “Mendoj që rikthimi i Dinamos është një vlerë e shtuar, pasi është një nga ekipet me më shumë tituj. Kam dhënë maksimumin kur isha me ta dhe doja çdo fitore, të njëjtën gjë bëj edhe me Partizanin.
Po flas edhe për veten pak, jam trajneri i vetëm në historinë e futbollit shqiptar që i kam drejtuar të tria skuadrat e kryeqytetit. Nëse nuk do ishin këto faktorë, sigurisht nuk do isha këtu ku jam. Kam drejtuar edhe klube shumë të rëndësishme dhe kundërshtarët i kam respektuar maksimalisht, por bëj maksimumin që t’i mund”.
“I rikthehem historisë. Kam dëgjuar e parë shumë këtë javë. Është një gjë e rrallë, pasi ndeshja e fundit finale u fitua me lojtarë dhe ka ngelur në historinë e futbollit shqiptar. Tani jam në krahun tjetër dhe do duhet të luftoj kundër ish-skuadrës time. Ky është profesioni ynë. Është një ndeshje e vështirë, edhe pse është rikthyer në Superiore pas disa kohësh. Ndeshje derbi nuk parashikohen, por janë ndeshje për t’u fituar. Futemi në fushë nesër për të fituar”.
“Dinamo është një kundërshtar që luan mirë në të dyja fazat e lojës. Janë riformatuar, por janë lojtarë që e njohin kampionatin. Ka pak të huaj, por janë nga ata që kanë luajtur në Superiore. Besoj se duhet të jemi grup, edhe Dinamo luan ë grup, që të minimizojmë gabimet e tre javëve të para. Personalisht kam qenë i kënaqur me atë që ka prodhuar ekipi, pasi është vetëm fillimi. Dinamo e ka nisur mirë, por po aq mirë e kemi nisur edhe ne”.
“Në shumë studio kam dëgjuar që Vllaznia ishte inekzistente. Kundrejt kujt? Sigurisht kundrejt Partizanit. Ishte loja jonë që bëri të mundur që Vllaznia, një nga ekipet më të mira, një nga pretendentët për titull, ishte inekzistente prej presingut të lojtarëve tanë. Kështu që mendoj se në këto tre javë kemi bërë faje individuale, që janë prezentë në lojë. Mund të ndodhte edhe me Vllazninë”.
Kjo tregon se jemi akoma në presionin e marrjes së rezultatit, pasi edhe lojtarët janë njerëz me ndjenja, edhe gabojnë. Nëse nuk do kishim këto lloj fajesh, do kishim 3-4 pikë më shumë dhe do ishim në vend të parë a të dytë. Ajo që na jep garanci është loja që kemi bërë ndaj vendeve të para të sezonit të shkuar. Në pjesën më të mirë të ndeshjeve kemi dominuar”.
Damcevski ka një javë që mungon për shkak të një infeksioni. Nuk është gati, pasi ka vetëm 2-3 ditë. Për të tjerët nuk them dot kush luan në formacion. Kemi edhe një seancë stërvitore. Gjërat te Partizani nuk bëhen rastësisht, as nga dëshpërimi.
Pashë që thuhej se skema ishte ndryshuar nga dëshpërimi. Lojtarët e treguan më së miri. E kemi përgatitur ndeshjen, nuk jemi nga ato stafe që e vendosim formacionin ditën e lojës. Nëse ndryshohet skema, u thuhet, lojtarët e dinë ku do të luajnë, ndryshe nuk u kërkojmë dot llogari për situata të ndryshme”.
“Derbi me Dinamon? Ne përjetojmë ndeshjet me të njëjtat emocione. Marrëveshja jonë është për objektiva maksimale. Derbi ka një dozë të shtuar emocionale. Tentohet gjithmonë fitorja e derbit, por janë të tria rezultatet.
Tentojmë të përdorim disa module, duke u përshtatur me lojtarët që kemi dhe mungesat që në këtë periudhë që po kalojmë janë të shumta. Nuk është skema ajo që sjell rezultat, por manovra që duhet të jetë e automatizuar. Duhet të jemi fleksibël për çdo situatë”.
“Barazimet e shumta? Kjo tregon që diferencat nuk janë të mëdha. Dinamo e Egnatia kanë investuar në merkato, kanë marrë lojtarë të mirë. Kjo rrit rivalitetin, e tregoi java e shkuar me 5 barazime. Nuk ka diferenca të mëdha, edhe në klasifikim ekipet janë të ngjeshura. Ne nuk kemi marrë pikët që donim, por jemi tre pikë larg ekipeve të tjera. Do jetë pak a shumë si kampionati i vjetshëm. Rivaliteti do jetë i madh, mes 6-7 ekipesh”.
“Presidenti po bën investim gjigant dhe nuk na ka munguar gjë. Për rezultatet teknike përgjigjet stafi teknik, jo presidenti. Përgjegjësia për lojën dhe rezultatet merret nga ne. Ai ka thënë që është i kënaqur nga loja”./ oversport.tv