Daja: Mungesat nuk janë justifikim, duam fitoren e parë sezonale në derbi

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja ka folur përballë gazetarëve në një konferencë për shtyp të dhënë në prag të derbit kundër Tiranës, që do të zhvillohet nesër në orën 19:45 në stadiumin “Air Albania”.

Tekniku i “të kuqve” ka folur për sfidën, për gjendjen e skuadrës si dhe për pozicionin e tij tek skuadra e Partizanit, pas këtij fillimi jo të mirë në kampionat, ku skuadra e tij nuk e ka gjetur akoma rrugën e fitores.

“Përtej pikëve të lëna, sepse kemi luajtur mirë. Atmosfera është pozitive. Jemi entuziast dhe e kemi vlerësuar në maksimum derbin. Kemi disa mungesa në formacion. Kaçen, Cardozo dhe Cara. Kamara ka lëvizur jashtë Shqipërisë, për procedura.

Reparti i sulmit ka mungesa, por derbi është një ndeshje për tu fituar dhe nuk ka vend për justifikim. Të gjithë ata që do të luajnë do të japin maksimumin që të arrijmë fitoren e parë në kampionat në derbi.

Po fituam vjen kthesa, por ka edhe shumë javë në vazhdim. Do të luajmë edhe 3 ndeshje derbi. Kemi marrë 4 barazime, por kemi luajtur gjithmonë për fitore. Derbi prodhon pak spektakël, sepse të dyja skuadrat duan të fitojnë. Një derbi e luan gjithmonë për të fituar.

Tifozët? Ndeshjet luhen për tifozët, kushdo e donte stadiumin plot, por duhet të jemi në sinkron me situatën, pasi stadiumi plot mund të sjellë agravim të situatës së Covid. Vendosin specialistët e shëndetësisë, por ne duam stadiumin plot.

Derbi është një ndeshje për t’u luajtur dhe përjetuar. Nëse luan për herë të parë, duhet të menaxhosh emocionet. Kemi punuar që lojtarët të mos ngarkohen shumë emocionalisht, që të mos penalizohen.

Skema? E kam dëgjuar edhe nëpër studio, por s’ka lidhje skema. Luan pa sulmues dhe mund të shkosh në zonë me shumë lojtarë. Është manovra ajo që vendos dhe jo skema.

Çfarë i mungon sulmit? Jemi ekipi që ka goditur më shumë portën, por duhet të ndryshojë finalizimi. Edhe kundër Kukësit mund të shkonim 2-0 dhe mund të kishim fituar. Finalizimi është problemi i vetëm në sulm.

E ardhmja ime? Të punosh te Partizani ka presion, sepse dihen objektivat. Këtë vit kemi nisur një proces rinovimi (ka shumë lojtarë të rinj në formacion). Suporti i presidentit do të thotë më shumë përgjegjësi, neve s’na ka munguar asgjë në çdo drejtim, prandaj duhet të arrijmë objektivat e klubit. Me hapjen e kompleksit, që mezi po e presim besoj se do të arrijmë këto objektiva”. /Oversport.tv