Partizani do të luajë nesër kundër Vllaznisë në “Elbasan Arena” në orën 19.45. Trajneri i “të kuqve” Ilir Daja, ka folur në një konferencë për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje shumë të rëndësishshme për skuadrën e tij:
“Kemi një ndeshje të vështirë me Vllazninë. Po kalojmë një moment të mirë. Vështirësia rritet për faktin që duhet të fitojmë patjetër. Është koha për të fituar. Jemi të dënuar të rriskojme gjithçka për të marrë tre pikët. Një fitore do i bënte shumë mirë skuadrës në aspektin psikologjik.
Vllaznia ka kundërsulm vrastar, kanë tre sulmues të shpejtë. Do jetë një ndeshje e vështirë. Goli? Ne kemi ceduar në finalizim, raste kemi pasur dhe kemi humbur edhe një penallti.
Sulmi ka edhe pjesë e krijimtarisë brenda. Duhet pak më shumë të konsolidohemi në fazën e sulmin”-ka deklaruar tekniku i Partizanit.
Kryeqytetasit nuk e kanë nisur mirë sezonin, duke grumbulluar vetëm një pikë në 2 ndeshjet e para. Por ajo që ka rënë në sy, është fakti që skuadra ka bërë disa gabime në prapavijë, duke pësuar gola që edhe mund të evitoheshin.
Megjithatë tekniku Daja nuk e bën dramë dhe thotë se skuadra e tij po rritet dhe se objektivi vazhdon të mbetet titulli kampion: “Kemi marrë një pikë, por ndeshjes me Skënderbeun nuk i gjej asnjë gabim. Goli nuk është gabim, është faj.
Kemi bërë ndeshje të mira, por nuk kemi qenë në maksimumin tonë. Kemi luajtur në fushën e kundërshtarit. Me Skënderbeun luajtëm mirë. Janë edhe 99 pikë në lojë, është herët për të thënë ku do jemi.
Gjithmonë Partizani ka objektiva madhore. Le të fokusohemi te ndeshja e nesërme, pasi ajo është shumë e rëndësishme dhe ne nuk jemi në maksimumin tone”.
Përsa i përket formacionit, tekniku thotë se pret disa përgjigje nga stafi mjekësor, por konfirmon mungesën e sigurtë të Damcevskit. /Oversport.tv