“Dajaku” i Italisë na nxjerr të fundit, Shqipëria U17 barazon me Irlandën e Veriut

Shqipëria U17, e drejtuar nga Ervin Bulku, i ka mbyllur kualifikueset e EURO U17 me një barazim dhe është renditur në vendin e fundit, për shkak të humbjes së thellë kundër Italisë në ndeshjen e parë.

Sikurse ndodhi edhe me Skocinë, kuqezinjtë nuk kanë mundur ta ruajnë dot epërsinë me Irlandën e Veriut, me të cilën barazuan ditën e sotme me rezultatin 2-2.

Ekipi i Bulkut kaloi dy herë në epërsi, fillimisht me Ageja dhe më pas me Haxhari, por britanikët u kundërpërgjigjen me Boyd dhe Kellyman, duke i hequr nga duart fitoren Shqipërisë U17.

Në takimin tjetër të grupit, që luhet për vendi e parë, Italia nuk e pati problem të likuidonte me rezultatin 3-0 Skocinë.

KUALIFIKUESET E EURO U17 – GRUPI 12

Shqipëri-Irlandë e Veriut 2-2
Shënues:
Ageja 34’, Haxhari 66’ / Boyd 52’, Kellyman 84’

Skoci-Itali 0-3
Shënues:
Di Maggio 31’, Carboni (pen.) 50’, Bolzan 87’

/ oversport.tv