Dal Pino i përgjigjet Staveley: Investuan tek një makinë e vogël, jo në Formula 1

Disa ditë më parë Amanda Staveley, administratorja e deleguar e “PCP Capital Partners”, që së bashku me fondin PIF kanë blerë klubin e Newcastle, deklaroi se së bashku me fondin sovran të Arabisë Saudite kishin menduar të investonin tek Interi ose Milani, por më pas e kishin hedhur poshtë këtë ide, sepse kampionati “ishte një katastrofë në strukturën e tij”.

Paolo Dal Pino, presidenti i Lega Serie A, i përgjigjet: “Zonja zgjodhi që të investojë tek Newcastle dhe jo tek Interi apo Milani. Duket nga zgjedhja se i pëlqejnë makinat e vogla që janë praktike dhe jo makinat e Formula 1”.

“Janë 8 pronarë të huaj që kanë besuar tek Serie A dhe besoj se ekziston mundësia që të rritet ky numër. Kur investohet shihen mundësitë e klubit dhe tregu ku punohet. Unë do të preferoja të kisha 90% të diçkaje që pas disa vitesh do të vlejë 30 miliard në krahasim me 100% të diçkaje që vlen 17 dhe ndoshta më pak pas disa vitesh”, vazhdon Dal Pino.

“Seria A është e përbërë nga shumë sipërmarrës brilantë dhe shumica e tyre duan ide të reja dhe ndryshime. Duket që është një mundësi e madhe, sepse ka potencial të pashprehur si asnjë Ligë tjetër”, ka përfunduar presidenti i Lega Serie A. / Oversport.tv