Dani Alves po kërkon ekip në Barcelonë, klubi blaugrana “i mbyll derën”

Dani Alves ka përfunduar aventurën e tij në Brazil dhe aktualisht është një lojtar i lirë. Në 16 shtator, braziliani mbylli eksperiencën e tij me San Paolon dhe aktualisht është pa kontratë dhe në kërkim të një skuadre që mund ti lejojë vazhdimin e karrierës së tij të jashtëzakonshme.

38-vjeçari është kthyer në Barcelonë dhe sipas asaj që shkruan “Mundo Deportivo”, ka vendosur klubin katalanas në krye të listës së preferencave të tij. Dani Alves ka publikuar në rrjetet sociale një foto, ndërsa ishte duke pirë një kafe në një bar dhe uronte një ditë të mbarë për ndjekësit e tij.

Tifozët shfrenuan fantazinë, duke i kërkuar që të rikthehej të vishte fanellën e Barcelonës. Por, sipas asaj që shkruan gazeta spanjolle, klubi i ka mbyllur derën një rikthimi të mundshëm, duke vazhduar politikën e rinovimit të skuadrës, që nisi me rinovimin e kontratës së Pedrit deri në vitin 2026.

Dani Alves ka zhvilluar 247 ndeshje me Barcelonën dhe ka shënuar 14 gola, gjatë viteve 2008-2016. Braziliani është lojtari që ka fituar më shumë tituj në karrierë, plot 43 trofe, shumë prej tyre me fanellën e skuadrës katalanase. / Oversport.tv