Danieli ia kalon babit dhe gjyshit, më i riu nga dinastia Maldini që debuton në Champions

Liverpool-Milan është një ndeshje që ka hyrë në histori. Jo vetëm për historinë e lavdishme të dy skuadrave, që për herë të parë në Champions nuk u ndeshën në një finale.

15 shtatori i vitit 2021 është një datë që do të kujtohet veçanërisht në historinë e klubit kuqezi dhe në familjen që ka shkruar hitorinë e këtij klubi: familjen Maldini.

Në minutën e 83-të të takimit, Daniel Maldini hyri në fushë në vend të Ante Rebic duke bërë kështu paraqitjen e parë absolute në Ligën e Kampioneve. Babai Paolo dhe gjyshi Cesare, të dy sëbashku kanë një total prej 164 paraqitjesh në kompeticionin më të rëndësishëm të klubeve.

Kupën e famshme e kanë fituar 6 herë, por i riu Daniel i ka kaluar në një tjetër rekord: në ndeshjen e djeshme u bë Maldini më i ri që debuton në Champions. 19 vjeç e 11 muaj debutoi Daniel, ndërsa Paolo ka qënë 20 vjeç në debutim dhe Cesare 23 vjeç.

Një ndeshje që i riu Daniel nuk do ta harrojë kurrë, edhe falë koreve të tifozëve të kuq në nder të babait të tij. Të mëdhenjtë i njohin të mëdhenjtë dhe tifozët në “Anfiled” vlerësuan një legjendë të futbollit botëror, rival në dy finale historike.