Danimarka në Botëror, Serbia e Portugalia duel në distancë për kreun

Danimarka është skuadra tjetër që i bashkohet Gjermanisë dhe Katarit si pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2022, pasi ka fituar ndeshjen e sotme kundër Austrisë me rezultatin e ngushtë 1-0. Maehle ishte vendimtar dhe i siguroi vendin e parë danezëve, që lanë pas Skocinë.

Këta të fundit triumfuan sot ndaj Ishujve Faroe 1-0 dhe janë pranë fazës play-off. Izraeli, që mposhti 2-1 Moldavinë, ka katër pikë më pak se kombëtarja britanike.

Situatë intersante edhe në grupin C, ku Zvicra mposhti 4-0 Lituaninë dhe tani ka 14 pikë, po aq sa Italia e vendit të parë. Në nëntor helvetët e kanë finale me kampionët e Europës, për një vend në “Katar 2022”.

GRUPI A – Serbia vazhdon të mbajë vendin e parë në grup, pasi triumfoi me rezultatin 3-1 kundër Azerbajxhanit në Beograd. Vlahovic shënoi dy herë për kombëtaren serbe, fillimisht me penallti dhe më pas riktheu epërsinë pas barazimit të përkohshëm me gol të Makhmudov. Tadic në fund shënoi edhe golin e tretë me penallti.

Portugalia, e dyta me një pikë më pak dhe një ndeshje më pak, nuk u kursyeu kundër modestëve të Luksemburgut. Ky duel u mbyll me rezultatin 5-0 dhe Cristiano Ronaldo shënoi tre prej golave, dy me penallti në fillim të takimit. Fernandes dhe Palinha e shënuan emrin gjithashtu në listën e golashënuesve. / oversport.tv