Danimarka synon një biletë në Katar 2022, Portugalia dhe Serbia luftë në distancë

Gjermania është skuadra e parë europiane që ka siguruar një biletë për në fazën finale të Kupës së Botës, Katar 2022, ndërsa Danimarka ka një mundësi të artë për të siguruar që ditën e sotme një vend në turneun më prestigjioz të futbollit ndërkombëtar.

Sot do të luhen ndeshjet e grupeve A, B, C, D, F dhe I dhe padyshim vëmendja e të gjithë shqiptarëve është e fokusuar tek finalja kundër Polonisë, pasi një fitore (por edhe një barazim) në “Air Albania”, do të afronte akoma më shumë pjesëmarrjen në Play Off për skuadrën kuqezi.

Portugali-Luksemburg dhe Serbi-Azerbaixhan janë dy sfidat e sotme në grupin A. Serbët janë ngjitur në krye të grupit dhe synojnë të ruajnë këtë pozicion, ndërsa portugezët kanë vetëm një pikë më pak në tabelën e klasifikimit.

Vendimtare në luftën për kreun e grupit do të jetë takimi direkt mes dy skuadrave në Portugali muajin tjetër, por deri atëherë asnjërës nuk i lejohen gabimet.

Spanja është pushim edhe këtë ndeshje, prandaj Suedia synon që ti rrëmbejë kreun e grupit B, duke kërkuar fitoren në sfidën shtëpiake kundër Greqisë. Kosovë-Gjeorgji është ndeshja tjetër e këtij grupi. Dardanët nuk kanë shanse për kualifikim, por kundër skuadrës së vendit të fundit synojnë të rikthehehn tek fitorja.

Bullgari-Irlandë e Veriut dhe Lituani-Zvicër janë dy ndeshjet e grupit C, ndërsa kryesuesit e Italisë nuk do të luajnë, pasi kanë qënë të impenjuar në Nations League.

Sfida Ukrainë-Bosnjë do të jetë vendimtare për vendin e dytë në grupin D, ku luhet edhe takimi Kazakistan-Finlandë. Franca, edhe pa luajtur këtë muaj, do të vazhdojë të mbetet në në krye të këtij grupi.

Danimarka, skuadra e vetme me pikë të plota në këtë fushatë eleminatore, mund të bëhet skuadra e dytë europiane që kualifikohet në Kupën e Botës, nëse fiton sfidën e sotme kundër Austrisë. Skocia do vetëm fitoren ndaj modestëve të Ishujve Faroe, ndërsa Izraeli dhe Moldavia do të përballen në ndeshjen tjetër të grupit F.

Sfida Shqipëri-Poloni është vendimtare për vendin e dytë në grupin I. Kuqezinjtë ruajnë vendin e dytë në renditje edhe me një barazim në sfidën e sotme në “Air Albania”. Kryesuesit e Anglisë do të presin në shtëpi Hungarinë, ndërsa luhet edhe derbi i modestëve San Marino-Andorrë. /Oversport.tv