Darmian: I detyrohem shumë Milanit, ishte një shkollë e shkëlqyer

Interi e mbylli vitin 2021 edhe me një lajm të mirë në krahun e djathtë. Denzel Dumfries ka shpërthyer në ndeshjet e fundit dhe është rikthyer në një garanci për trajnerin Simone Inzaghi.

Për këtë çështje dhe konkurrencën që ka me të në ekip ka dhënë një intervistë edhe Matteo Darmian. Mbrojtësi italian foli gjithashtu edhe për të kaluarën e tij te Milani.

“Në një ekip si Interi është normale që të ketë konkurrencë”, e nisi ai intervistën për La Stampa. “Detyra jonë është ti vështirësojmë punën trajnerit, në mënyrë që ai të mos e ketë të lehtë zgjedhjen e lojtarëve”.

Më pas ai u ndal edhe te e kaluara si Milanist, rivali kryesor për titullin kampion kundër Interit. “I detyrohem shumë Milanit, erdha si fëmijë dhe u largova si burrë. Kampionët si Maldini, Gattuso dhe Costacurta më dhanë dëshirën për të punuar. Ishte një shkollë e shkëlqyer”, përfundoi fjalën e tij Darmian. /oversport.tv