Dashuria për futbollin s’ka kufij: 50 orë fluturim dhe 32 mijë km për një ndeshje

Dashuria për futbollin nuk njeh kufij apo distanca dhe këtë e konfirmon plotësisht AS Venus Tahiti. Skuadra nga Polinezia Franceze, një grup ishujsh në Oqeanin Paqësor, ka arritur kohët e fundit një sukses kombëtar, që e ka lejuar që të marrë pjesë në Kupën e Francës.

AS Venus duhet të ndeshej me Trélissac Fc në Kupë. Nuk ka asgjë të çuditshme, përveç faktit se selitë e dy klubeve janë “vetëm” 15.883 kilometër larg.

Në vitin 2020 JS Saint-Pierroise, një skuadër nga ishulli Reunion në Oqeanin Indian, zuri titujt kryesor në media, pasi u kualifikua në 1/16 e një turneu ku pjesa më e madhe e skuadrave vinin nga kontinenti, duke udhëtuar rreth 10 mijë kilometra.

Një rekord që është thyer lehtësisht nga klubi nga Polinezia Franceze, që ka bërë një udhëtim vajtje-ardhje prej 32 mijë kilometrash dhe rreth 50 orë fluturim për tu përballur me skuadrën e kategorisë së katërt Trélissac.

Para ndeshjes, trajneri Samuel Garcia ka thënë se skuadra e tij “ishte e lumtur që kishte ardhur në Francë”. Për fat të keq, ndeshja nuk shkoi siç prisnin, sepse Venus u mund 2-0 dhe u eliminua.

Për të ardhur sërish në Francë, Venus duhet të fitojë sërish Kupën e Polinezisë, që të mund të sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Francës. /Oversport.tv