Davide Dionisi: Ta harrojmë se mposhtëm Juventusin, kemi Empolin në derë

Davide Dionisi, trajneri i Sassuolo, ndihet i kënaqur pas fitores 2-1 përballë Juventus, por njëkohësisht tenton t’i mbajë me këmbë në tokë të tijët.

“Është gjithmonë bukur të fitosh, por si këto fitore na pëlqejnë më shumë. E mira është ta harrojmë këtë fitore dhe të fokusohemi te sfida e së dielës”, tha Dionisi për DAZN.

Në pjesën e parë u pa një Juventus kërkues, pavarësisht se Sassuolo gjeti golin me Frattesin (44′). Në lidhje me këtë ai shpjegoi:

“Luajtëm një pjesë të parë të shkëlqyer, edhe pse kundërshtari na vuri jo pak në vështirësi. Treguam kurajo. Në pjesën e dytë ramë në nivel por rëndësi ka që qëndruam kompakt.

Anësorët e skuadrës ishin në ditën e tyre më të mirë dhe kjo nuk u la pa u duartrokitur nga trajneri, i cili vlerësoi këtë performancë me fjalët:

“Kemi lojtarë të fortë në krahë dhe po i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë. Një mesfushë me tre lojtarë është e karakteristikës tonë dhe kjo na shërbeu për më shumë ekulilibër”.

Sassuolo pret Empolin të dielën në “Mapei Stadium” në orën 20.45 dhe për trajnerin Dionisi fitorja me Juventusin kalon në plan të dytë. / oversport.tv