De Bruyne shemb murin e Atleticos, Liverpool likuidon Benfican në “Da Luz”

Ndonëse ka dominur gjatë të gjithë takimit, Manchester City ka arritur të mposhtë vetëm 1-0 Atletico Madridin në ndeshjen e vajtjes së çerekfinaleve të Champions League. Spanjollët janë mbrojtur mirë, por ka menduar De Bruyne që të vendosë fatin e kësaj sfide, duke shënuar golin e vetëm në pjesën e dytë.

Liverpool ka hedhur një hap të madh drejt gjysmëfinaleve të Championsit, pasi ka mposhtur 3-1 në transfertë Benfican në “aktin” e parë të çerekfinaleve të këtij turneu. “Të kuqtë” kanë shënuar 2 gola në pjesën e parë, Benfica ka reaguar në pjesën e dytë, por në fund të sfidës Luis Diaz ka shënuar edhe golin e tretë, duke vulosur një fitore të madhe të skuadrës së Klopp.

Manchester City dominon në fushë, por nuk arrin që të shfaqet rrezikshëm në portën e Atleticos. Bernardo Silva pretendon një penallti, por për gjyqtarin është gjithçka e rregullt. City qarkullon topin dhe mundohet që të çajë mbrojtjen e hekurt të skuadrës së Simeones. Edhe Kevin De Bruyne pretendon një 11-metërsh, por sërish për gjyqtarin loja duhet të vazhdojë. Mbyllet me dominimin e skuadrës së Guardiolës, por pa raste të pastra për shënim pjesa e parë në “Etihad Stadium”.

E njëjta tablo shfaqet edhe në pjesën e dytë. Madrilenët mbrohen me shumë forca, ndërsa anglezët mundohen që të çajnë këtë mur. Provon De Bruyne por Jan Oblak nuk lejon që topi të përfundojë në rrjetë.

Raheem Sterling pretendon një tjetër penallti, por për gjyqtarin Kovacs loja duhet të vazhdojë. Minutat kalojnë dhe City nuk arrin që të materializojë epërsinë në fushë. Mendon De Bruyne që të zhbllokojë këtë sfidë të vështirë, duke shënuar golin e avantazhit në minutën e 70-të.

Atletico nuk arrin të reagojë pa shënimit të golit, ndërsa City mundohet që të shënojë edhe golin e sigurisë. Provon Kevin De Bruyne por goditja e tij ndalet nga një mbrojtës. City nuk arrin që të shënojë dot një tjetër gol, por gjithsesi arrin që të fitojë këtë përballje të parë kundër Atletico Madrid.

Liverpool nis më mirë ndeshjen në “Estadio da Luz” dhe arrin të gjejë rrugën e rrjetës me Konate. Benfica mundohet të reagojë me Everton, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Anglezët luajnë më mirë dhe i afrohen golit të dytë me Luis Diaz por portieri Odysseas Vlachodimos nuk lejon që topi të shkojë në rrjetë.

Atë që nuk e bën Diaz, e bën Mane, që shënon dhe kalon në avantazh të dyfishtë skuadrën e Klopp. Liverpool dominon dhe i afrohet edhe golit të tretë por Mohamed Salah dhe Luis Diaz nuk arrijnë që të realizojnë. Mbyllet 0-2 një pjesë e parë e dominuar nga “të kuqtë”.

Benfica ndryshon ritëm në pjesën e dytë dhe arrin të rihapë ndeshjen me Nunez, që shkurton diferencat në 1-2. Provon edhe Everton, por Alisson nuk lejon që ndeshja të barazohet.

Vendasit marrin zemër dhe mundohen që të baraspeshojnë këtë sfidë, por nuk arrijnë që të rrezikojnë seriozisht portën e Alisson. Luis Diaz ka një mundësi të mirë për të shënuar golin e tretë për Liverpool, por gjuajtja e tij përfundon jashtë.

Luis Diaz korrigjon shënjestrën dhe tre minuta nga fundi i sfidës shënon golin e tretë për Liverpool, që vulos fatin e kësaj ndeshjeje. Anglezët hedhin një hap të madh drejt gjysmëfinaleve pas fitores 3-1 në transfertën portugeze. / Oversport.tv

Foto: Manchester City Twitter