Për uljen e Antonio Contes në stolin e Tottenham mungon vetëm zyrtarizimi. Kështu, Luigi De Canio, i cili e ka patur si asistent teknikun te Siena, ka komentuar lëvizjen e italianit. Ai u shpreh i lumtur për këtë lëvizje dhe tha se kjo është sfida më intriguese dhe e vështirë për Conten.
“Ai është një nga trajnerët më të mirë në qarkullim dhe është e qartë se çdo ekip i madh do të donte ta afronte atë. Për më tepër, ata kanë një drejtues si Paratici i cili ka punuar me Conten dhe është logjike që ai të mendohej si lëvizja e re në stol”.
“Ndoshta nga të gjitha sfidat që ka pasur, kjo është më e rëndësishmja dhe më intriguesja. Gjithashtu më e vështira. Interi ishte duke bërë gjëra të mira edhe me Spalletin dhe ishte në rrugën e duhur për të arritur titullin. Pastaj në vitet e ardhshme u afruan lojtarë të rëndësishëm, që krijuan kushtet për të arritur te titulli. Është gjithashtu logjike që pas kaq shumë vitesh, Juventusi të kishte një rënie. Tottenham nga ana tjetër, nuk e ka origjinën e Juventusit, Interit apo Chelseas. Ndaj them se kjo është një sfidë më intriguese dhe e vështirë”. /oversport.tv