Përplasja mes Igli Tares dhe Maurizio Sarrit ka qenë një nga temat kryesore në mediat italiane. “Nëse Lazio kualifikohet në Champions League do të jetë një mrekulli”, u shpreh tekniku i kryeqytetasve, ndërsa nga ana tjetër Igli Tare nuk ndan të njëjtin mendim. Për drejtorin sportiv, Champions League është objektivi i klubit dhe pavarësisht vështirësisë, sipas tij Sarri i ka në dorë të gjitha “letrat” për të luftuar.
Nuk ka munguar edhe kundërpërgjigjja e Sarrit që tregoi se qëndrimi i tij dhe i Igli Tares në këtë pikë është i ndryshëm. Për të qetësuar situatën ndërkohë, ka menduar vetë presidenti i Lazios, Claudio Lotito i cili është përpjekur të “ulë gjakrat”.
“Lazio është një shoqëri e kuotuar në bursë dhe një realitet i rëndësishëm në botën e futbollit, me një histori të madhe, por mbi të gjitha është një familje e madhe.
Si në çdo familje, mund të ketë edhe vizione të ndryshme mbi të cilat mund të ketë debate brenda klubit për të arritur te zgjidhja më e mirë. Sigurisht që në opinionet e shprehura publikisht në ditët e fundit, debati është konstruktiv dhe ka si qëllim rritjen”, u shpreh Claudio Lotito që megjithatë konfirmoi ngërçin midis Igli Tares dhe Maurizio Sarrit. /oversport.tv
Foto: S.S. Lazio, Facebook