Debora Keçi: Tirana Triathlon promovon jo vetëm sportin, por edhe qytetin! Njerëzit duhet të bëjnë sport gjatë gjithë vitit

Organizatorja e Tirana Triathlon, Debora Keçi ka folur për Oversport gjatë aktivitetit që po transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport. Edicioni i 5-të i këtij eventi po zhvillohet në Parkun Helen, që prej orën 9:00. Garën mund ta ndiqni live në kanalet OversportNews dhe Oversport 1.

“E kam nisur këtë event shumë vite më parë, që në vitin 2018, kur shumë pak njerëz në Tiranë e bënin këtë sport. I thashë kryetarit të Bashkisë që të organizonim një garë të tillë në Tiranë. Jam krenare që kemi krijuar një traditë në këtë sport, falë një pune të jashtëzakonshme të shumë njerëzve, që nuk duken në skenë.

Këto nuk janë organizime që promovojnë vetëm sportin, por edhe Tiranën. Pasi shumë të huaj vijnë dhe bëjnë turizëm sportiv në Tiranë. Ky është qëllimi kryesor dhe e dyta, të gjithë ata që arrijnë të përfundojnë garën bëjnë një arritje. Kushdo që arrin që të mbyllë garën merr një medalje dhe quhet fitues. Secili e ka sfidën me veten. Hera e fundit që kam bërë Triathlon ka qenë në Shkodër. Shtysën e kam marrë nja Shkodra (qyteti i parë që ka organizuar në Shqipëri) për ta bërë në Tiranë. Dua të marr pjesë edhe në garën e Kosovës.

Dua të falënderoj Oversport që mundohet të mbulojë live të gjitha aktivitetet sportive që ndodhin në Tiranë. Për herë të parë Tirana Triathlon transmetohet e gjitha live në një televizion. Jo profesionistët identifikohen për të bërë sport gjatë gjithë vitit. Për mua ky është synimi që njerëzit të bëjnë sport gjatë gjithë vitit, sepse për tu përgatitur për një garë triathloni duhet të bësh stërvitje për një kohë të gjatë”, ka thënë mes të tjerash Debora Keçi. / Oversport.tv