Afrime të reja. Gola që në start. Debutime fantastike. Kur vjen puna te afrimet e merkatos së janarit, prezantimin më të mirë madje për rekord e ka bërë Sherif Kallaku. Mesfushori i Teutës ka shënuar 4 gola në katër ndeshjet e fundit, duke përfshirë edhe Kupën.
Kallaku e nisi me penallti të shënuar në debutim ndaj Egnatias. Më tej, një tjetër realizim në triumfin ndaj Partizanit. Vijoi me realizimet ndaj Erzenit në sfidën e vlefshme për Kupën e Shqipërisë dhe së fundmi ndaj Laçit, për golin e dytë të skuadrës durrsake. Katër gola në katër ndeshjet e para, duke u bërë vërtetë vendimtar për Teutën.
Më tej, Delimedjac dhe Johnson Opong për Kukësin dhe Doi për Bylisin, kanë bërë prezantime fantastike që në start me dy skuadra që po luftojnë për të shpëtuar dhe për t’iu larguar sonës së rrezikut.
Kukësi fitoi me përmbysje ndaj Egnatias, ku golit të Fernandos i cili kaloi në avantazh rrogozhinasit në pjesën e parë me penallti, iu përgjigj Ndreca me një goditje nga jashtë zone, duke barazuar shifrat. Mirëpo, lajmi më i mirë për verilindorët ishte një nga afrimet e kësaj merkatoje.
Mesfushori nga Serbia, Mirza Delimedjac i cili debutoi ndaj rrogozhinasve, shënoi golin e fitores pikërisht në fushën e Egnatias, me fare pak minuta për skuadrën e drejtuar nga Hallaçi. Gol me vlerën e 3 pikëve, që rriti besimin dhe motivimin e skuadrës verilindore edhe për pjesën e vazhdimësisë.
Por nuk mbaron me kaq, gol për 3 pikë shënoi një tjetër afrim i kësaj merkatoje. Doi kishte vetëm një ditë kohë me skuadrën e Bylisit dhe i aktivizuar në minutën e 58-të ndaj Kastriotit, japonezi shënoi në të 76-tën për t’u dhënë fitoren ballshiotëve. Një tjetër debutim i artë.
Në javën e 19-të, Kukësi mposhti Tiranën me rezultatin 2-0 dhe golin e parë e shënoi një tjetër afrim i kësaj merkatoje. Një tjetër debutim rezultativ, ishte Xhonson Opong. Në të 35-tën minutë, ai zhbllokoi shifrat në Kukësi Arena, duke ndihmuar skuadrën e tij të re për të marrë një tjetër 3 pikësh të artë.