Demrozi: Dua që Kupa të vijë në Rrogozhinë, futbollistët e Egnatias janë heronj

Nën drejtimin e tij, Egnatia u rikthye në elitën e futbollit shqiptar sezonin e kaluar, ndërsa këtë sezon po shkruan historinë, pasi falë paraqitjeve të shkëlqyera në fushën e blertë ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë, diçka historike për klubit, por mban edhe vendin e tretë në renditje, duke synuar një vend në Kupat e Europës edhe nga kampionati.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti Agim Demrozi ka folur për paraqitjet e skuadrës dhe për kualifikimin historik në finalen e Kupës së Shqipërisë.

“Ky sukses i dedikohet skuadrës, të gjithë futbollistëve. Ata po tregojnë vërtetë gjithçka nga vlerat e tyre. Po sillen si profesionistë dhe po kalojnë me sukses sfidat që kanë, si në kampionatit ashtu dhe në Kupë. Tanimë kemi siguruar me plot meritë daljen në finale.

Nëse tifozët do të ishin të pranishëm, atmosfera do të kishte qenë shumë herë më elektrizuese. Jo vetëm Jackson, por të gjithë futbollistët, për mua janë heronj. Shpresoj të vazhdojmë me këto ritme.

Ajo që unë dëshiroj me shpirt është që kupa të vijë në Rrogozhinë. Këtë sukses them me bindje se ne e meritojmë, edhe pse më parë na duhet të mbyllim kampionatin dhe të mos e lëshojmë sigurisht vendin e tretë, që e mbajmë prej javësh. Është shumë e rëndësishme të sigurojmë pjesëmarrjen në Europë”, ka thënë mes të tjerash Demrozi. / Oversport.tv