Dëmtim në ligament, Chilwell të paktën 6 javë larg fushës së blertë

Ben Chilwell do të mungojë për Chelsean për të paktën 6 javë pasi ka pësuar një dëmtim në ligament. Mbrojtësi anglez mund të mungojë për një kohë akoma më të gjatë, nëse do të duhet që të kryej një ndërhyrje kirurgjikale vitin e ardhshëm.

Chilwell ishte kthyer në një pikë kyçe në formacionin e Chelseat, ku sëbashku me shokun e skuadrës Reece James po performonin shumë mirë në fushë, madje kishte shënuar edhe 3 gola në kampionat këtë sezon.

Mbrojtësi u dëmtua në fitoren përballë Juventusit të martën në mbrëmje dhe doli nga fusha duke çaluar. Mjekët e Chelseat kishin frikë se mos Chilwell kishte këputur ligamentin, një dëmtim që do ta linte 9 muaj jashtë fushës së blertë.

Por, në konferencën e të premtes Thomas Tuchel tha se mbrojtësi do të mungojë vetëm 6 javë. “Ka një dëmtim të pjesshëm në ligament. Kemi vendosur që ta trajtojmë me kujdes dhe hap pas hapi.

6 javët e ardhshme do të tregojnë nëse ia del, apo ka nevojë për një operacion. Reagimi i parë duket pozitiv, por tashmë të shohim se çfarë do të ndodhë këto 6 javë”, ka thënë trajneri i Chelseat. /Oversport.tv