Dëmtimet bëhen “makth” për Barcelonën, ndalet sërish Ansu Fati

Ka qenë një mbasdite për tu harruar ajo e djeshmja për Barcelonën, pasi ishte duke kryesuar 3-0 pas përfundimit të pjesës së parë në “Balaídos” përballë Celta Vigos, por më pas vendasit arritën të rikuperonin dhe gjithë takimi u mbyll në barazim 3-3.

Por lajmet e këqija nuk mbarojnë këtu. Xavi, trajneri i ri i skuadrës katalanase, do të duhet të bëjë llogaritë me një listë të gjatë mungesash për shkak të dëmtimeve. Në ndeshjen e djeshme, ngritën flamurin e bardhë edhe Eric Garcia, Nico Gonzalez dhe Ansu Fati.

Numri 10 i Barcelonës, pasi shënoi golin e parë të sfidës, të katërtin personal në këtë sezon, u detyrua të largohet nga fusha e blertë, duke i lënë vendin Álex Balde.

Pas vizitave mjekësore, klubi blaugrana ka deklaruar se është një dëmtim muskulor në kofshën e majtë dhe do të mungojë për disa kohë. / Oversport.tv